Kryeministri në detyrë, që është edhe lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në ditën e fundit të Javës së Lëvizjes e cila, sipas kësaj partie përkon edhe me ditëlindjen e Ukshi Hotit, ka bërë homazhe te Parku Memorial “Të zhdukurit me dhunë nga Serbia”, në oborrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
“Në këtë ditë të 17 qershorit, që shënon ditëlindjen e Ukshin Hotit, u përkujtua dhe u nderua jeta dhe veprimtaria e tij si profesor, intelektual dhe veprimtar i shquar”, thotë LVV-ja.
Ukshin Hoti, u zhduk me dhunë më 16 maj 1999, gjatë kohës sa ndodhej në burgun e Dubravës, dhe që prej asaj dite, fati i tij mbetet i panjohur.
“Ukshin Hoti ishte një ndër figurat më të rëndësishme të mendimit politik shqiptar, dhe zëri i tij për liri, drejtësi e vetëvendosje vazhdon të jetojë në kujtesën kolektive të popullit tonë”, thuhet në njoftimin e LVV-së për homazhet që ka bërë delegacioni i kësaj partie tek Parku Memorial.