Në një situatë politike të bllokuar, deklarata e deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj, për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ka befasuar opinionin publik. Por menjëherë, kjo ide u përjashtua nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, dhe nga deputetja e VV-së, Jeta Statovci, e cila tha se bashkëpunimi me PDK-në mund të ndodhë vetëm për konsitituimin e Kuvendit, jo në ekzekutiv.
Teksa deputetët po mblidhen për rreth 40 herë, çdo 48 orë, një marrëveshje politike nuk duket se po mund të arrihet.
Megjithatë, një deklaratë befasuese erdhi në 48 orët e fundit, nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili deklaroi se e mbështet një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Por një mundësi bashkëpunimi PDK-VV e përjashtoi numri një i PDK-së Memli Krasniqi, për çka tha se as nuk e diskutojnë.
Një koalicion të mundshëm e përjashtojnë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja Jeta Statovci u shpreh se me PDK-në kanë qenë të gatshëm të diskutojnë vetëm në aspektin procedural, karshi konstituimit të Kuvendit, por jo në aspektin ekzekutiv.
“Ne i kemi parë se si qeverisin, kanë pasur një periudhë të gjatë të qeverisjes dhe besojmë që edhe parimet tona qeverisëse por edhe aspektet tona programore dhe objektivat janë të ndryshme, dhe në këtë rrethanë besojmë se botëkuptimet tona janë më të largëta sesa mundësia e një partneriteti me LDK, andaj e kemi bërë edhe një hap të parë, për bashkëpunim që të kalohet ngërçi në Kuvend, te kemi formim të qeverisë gjithashtu stabilitet ne çështjen e zgjedhjes së presidentit”, tha Statovci.
Njohës të proceseve politike e cilësojnë si befasuese deklaratën e deputetit Hoxhaj, marrë parasysh dallimet politike të këtyre dy partive.
“Kjo deklaratë ishte jashtëzakonisht befasuese për shkak të armiqësive të mëdha politike ndërmjet Lëvizjes Vetëvendoske dhe Partisë Demokratike, prandaj zotri Hoxhaj në ditët në vijim duhet ti sqaroj dy pika, e para a është kjo vetëm një ide e tij apo ka edhe një plan më të detajuar sesi do mund të dukej një koalicion I tillë, dhe e dyta a është kjo vetëm qëndrim I tij apo edhe I partisë sepse këto dy pika do bënin një dallim të madh në qasjen ndaj kësaj ideje”, tha Artan Muhaxhiri, analist.
Pa një marrëveshje të arritur, deputetët e legjislaturës së 9-të i kthehen nesër Kuvendit, për të 38-ën herë.