Kryeministri në detyrë, Albin Kurti që është lider i Vetëvendosjes, parti që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit e që ka 48 ulëse në Kuvend, ka ftuar në takim liderët e partive të përfaqësuara në Kuvend, për të shtunën pasdite.
Kurti thotë se, aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë.
“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar kryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.