Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit kanë ndodhur dy aksidente trafiku me pasoja fatale, në Gjakovë dhe Suharekë.
Aksidenti në Gjakovë ka ndodhur më 8 korrik, rreth orës 15:35, ku një kamion transportues është përplasur me një automjet zyrtar të zjarrfikësve. Si pasojë e përplasjes, dy vozitësit (të dy meshkuj kosovarë) kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.
Më vonë, njëri nga të lënduarit, punonjës i Njësisë së Zjarrfikësve, ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërsa rreth orës 06:50 të mëngjesit të së njëjtës ditë, në Suharekë, një shtetas i huaj që drejtonte një motoçikletë ka humbur kontrollin dhe është përplasur në skajin e rrugës. Nga aksidenti, pasagjerja – po ashtu shtetase e huaj – ka ndërruar jetë, ndërsa drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime trupore.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës ka apeluar për kujdes të shtuar në komunikacion, sidomos gjatë sezonit të verës, kur qarkullimi është më i dendur dhe rreziku për aksidente më i lartë.