Në përbërje të plotë, Gjykata njëzëri konstatoi se neni 4 i këtij ligji, përkatësisht neni i ri 8A i shtuar në ligjin bazik, është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, konkretisht me nenin 24 që garanton barazinë para ligjit dhe ndalimin e diskriminimit. Po ashtu, Gjykata vlerësoi se ky nen është në përputhje edhe me nenin 1 të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon diskriminimin në mënyrë të përgjithshme.

Skema e re “e pensionit parcial kontributpagues të moshës” synon të përfshijë një kategori të rëndësishme të qytetarëve që për vite me radhë kanë qenë të përjashtuar nga përfitimi i pensionit, për shkak të pamundësisë për të dëshmuar periudhën e kontributeve gjatë viteve 1989–1999.

Kjo kategori përfshin kryesisht punëtorë të larguar nga puna me masa të dhunshme gjatë regjimit serb, përfshirë punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore, shërbyes civilë, pjesëtarë të gjyqësorit, policisë dhe institucioneve të tjera.

Sipas ligjit të ri, të drejtën për pension parcial kontributpagues e gëzojnë qytetarët që: Kanë arritur moshën 65 vjeç; Kanë të dhëna për pagesën e kontributeve para vitit 1999; Janë larguar nga puna pas datës 1 janar 1989 për shkak të masave të dhunshme; Mund të dëshmojnë se periudha e kontributeve dhe periudha e largimit nga puna përbëjnë së paku 15 vite të punësimit.

Gjykata vlerësoi se kjo qasje është e arsyeshme dhe proporcionale, pasi synon përmirësimin e një padrejtësie historike dhe sjell barazi në trajtimin e qytetarëve që kanë qenë në situata të ngjashme. Për më tepër, Gjykata theksoi se shteti ka vepruar në përputhje me obligimet e tij kushtetuese për të ndrequr dallimet e pashpjegueshme dhe përjashtimet e mëhershme në sistemin pensional.

Gjykata konsideroi se qëllimi i ligjit është legjitim dhe përputhet me vlerat themelore të Kushtetutës, siç janë barazia, drejtësia sociale dhe mbrojtja e dinjitetit të qytetarëve. Po ashtu, u vlerësua se skema e re pensionale nuk e cenon sistemin e përgjithshëm pensional, por përkundrazi e pasuron atë duke përfshirë më shumë kategori që më parë ishin të lëna jashtë.

Me këtë vendim, Gjykata mbyll një kapitull të rëndësishëm të debatit rreth barazisë në përfitimin e pensioneve dhe krijon një precedent pozitiv për hartimin e politikave më gjithëpërfshirëse në të ardhmen.

Aktgjykimi i plotë është publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese dhe është i qasshëm për publikun dhe të gjitha palët e interesuara.