Presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për media, ka thënë se Serbia në fund të muajit maj, ka pasur plane destabilizuese për Kosovën nëpërmjet kufirit.
“Në të gjitha takimet gjatë këtyre dy vizitave natyrshëm kemi folur edhe për zhvillimet e fundit të sigurisë. Siç e dini gjatë vizitës sime në SHBA kam deklaruar se Serbia ka pasur, dhe ka ende qëllim që të destabilizojë situatën në gjithë rajonin dhe të përshkallëzojë situatën në Kosovë. Ky vlerësim është bërë mbi bazën e informatave të vazhdueshme, që ne si institucione i marrim nga institucionet e sigurisë”, ka thënë ajo, duke aluduar te vizita e saj në SHBA dhe Letoni.
Osmani ka thënë se në fund të muajit maj, kanë marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Ajo ka thënë se është takuar me institucionet e sigurisë dhe se janë siguruar që çdo institucion të ketë mobilizimin e duhur për vendin. Osmani ka përmendur edhe njoftimin që u ka bërë aleatëve, duke kërkuar mbështetje nga ta.
“Gënjeshtrat e Serbisë se kinse ajo nuk merr hapa destabilizues është pjesë e propagandës së tyre të vazhdueshme, siç e dini deklarata të tilla kishte edhe pak para aktit të agresionit të shtatorit 2023, por edhe para çdo lloj akti agresioni”, ka thënë Osmani gjatë konferencës për media.
Osmani gjithashtu ka detajuar takimet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Republikën e Letonisë.
Ajo ka thënë se me administratën Trump kanë folur kryesisht për ekonominë e mbrojtjes, teksa ka potencuar angazhimin e Kosovës si eksportues i sigurisë, rritja e buxhetit të mbrojtjes dhe përkushtimin për anëtarësimin në NATO.