Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Avokatin e Popullit, Naim Qelaj me të cilin diskutuan mbi gjendjen aktuale të të drejtave të njeriut në vend, si dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët e Kosovës në këtë drejtim.
Presidentja Osmani vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë për të garantuar dhe promovuar të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim.
Ajo theksoi gjithashtu nevojën që institucionet shtetërore të jenë të përkushtuara në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit, duke i konsideruar ato si mjete thelbësore për forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave themelore.
Nga ana e tij, Avokati i Popullit e informoi presidenten Osmani për çështjet më të shpeshta që trajtohen në institucionin që ai udhëheq. Të dy palët u pajtuan për nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit institucional në funksion të mbrojtjes dhe përmirësimit të të drejtave të njeriut në Kosovë.