Mustafa përmes një postimi në Facebook ka thënë se këtë veprim e kishte marrë në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore në atë vit.

“Në prag të certifikimit të rezultateve zgjedhore të vitit 2017, në konsultim me Zyrën Ligjore të KM dhe me këshilltarin juridik të Kryeministrit, që sot është kryetar i Odës së Avokatëve, në harmoni me nenin 72 të Kushtetutës, si kryeministër në detyrë lirova nga detyra një zëvendëskryeministër dhe 8 ministra të cilët kishin fituar mandatin e deputetit. Qeveritarët e liruar nga detyra ishin: Ramiz Kelmendi, zëvendëskryeministër, ministrat; dr. Kujtim Shala, dr, Avdullah Hoti, dr. Enver Hoxhaj, dr, Lutfi Zharku, Memli Krasniqi, dr, Hykmete Bajrami, Arban Abrashi dhe Rasim Demiri”, ka shkruar Mustafa.

Sipas tij, qëllimi nuk ishte të tregohej si shembull i zbatimit të Kushtetutës, por të shmangej shkelja e saj.

Ai ka theksuar se të gjithë zyrtarët e liruar nga detyra në atë kohë e kishin kërkuar vetë largimin për të respektuar mandatin e tyre të ri si deputetë, dhe për të shmangur mospërputhshmëri kushtetuese.

“Edhe pse në atë kohë Kosova nuk e kishte Ligjin për Qeverinë, i cili tani në mënyrë eksplicite e bën ligjërisht të detyrueshme normën kushtetuese se asnjë person nuk mundet në të njëjtën kohë të ushtrojë pozita ekzekutive dhe ato legjislative”, ka shkruar Mustafa.

Ai ka thksuar se Qeveria në detyrë nuk duhet t’i lejojë vetes veprim antikushtetues dhe të qëndrojë në pushtet në shkelje të ligjit.

“Atëherë jo vetëm se do duhej dhënë përgjegjësi për veprime jo legale dhe jo legjitime por edhe të pret përgjegjësia individuale para ligjit për pasojat e krijuara nga mospërfillja e gjyqësorit”, ka perfunduar Mustafa.