Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se deficiti tregtar është duke ndikuar negativisht në aktivitetin ekonomik të Kosovës, ashtu si edhe inflacioni i lartë.
Përderisa norma e inflacionit, sipas tij, pritet të bjerë në pjesën e dytë të vitit 2023, Mehmeti thotë se duhet të punohet më shumë që struktura e ekonomisë të ndërrohet në favor të ndërmarrjeve prodhuese.
Kosova varet skajshmërisht nga produktet e importuara, ndërsa vlera e eksporteve të saj është shumëfish më e vogël.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mehmeti flet edhe për valutën kombëtare dhe thotë se BQK-ja i ka ndërmarrë të gjitha masat për zbutjen e efekteve negative të mospasjes së saj.
Për krijimin e rezervave të arit, ai thotë se duhet të ketë vendim nga autoritetet qeveritare.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mehmeti, po filloj me një çështje që ka qenë problematike pothuajse gjatë gjithë vitit 2022 në vendet e Bashkimit Evropian, por edhe në Kosovë: ndikimi në ekonomi i luftës në Ukrainë. Si e përballoi ekonomia e Kosovës këtë?
Fehmi Mehmeti: Ekonomia e Kosovës e filloi vitin 2022 me një perspektivë të mirë, duke qenë se e linim një vit mjaft të suksesshëm. Sipas vlerësimeve preliminare të Agjencisë së Statistikave [të Kosovës], norma reale e rritjes së bruto produktit vendor në vitin 2021 ishte 10.75 për qind.
Megjithatë, gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikave globale, për shkak të luftës në Ukrainë – që u shoqërua me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare, rritje të normave të interesit, ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore, si rezultat i ndërprerjes së zinxhirit të furnizimit – u reflektua edhe në aktivitetin ekonomik të Kosovës.
Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, rritja ekonomike gjatë vitit 2023 pritet të jetë 3-4 për qind. Kjo, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesave të brendshme dhe rritjes së importeve.
Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në muajin shtator të vitit 2022, shpenzimet jorezidente në Kosovë – pjesa më e madhe e të cilave vjen nga diaspora – ishin më shumë se 1.48 miliard euro. Kjo shumë paraqet një rritje vjetore prej 26 për qind, nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Po ashtu, viti 2022 shënoi një ritëm të shpejtë të remitencave. Vlera e tyre arriti mbi një miliard euro – ose rritje vjetore prej 5.5 për qind.
Rritja e kërkesës së brendshme në vend u reflektua me rritje të importit të mallrave, që arritën vlerën e 4.2 miliardë eurove – apo rritje vjetore 24 për qind. Në anën tjetër, eksporti i mallrave kapi vlerën e 688 milionë eurove – apo rritje vjetore 27 për qind.
Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, deficiti tregtar arriti në 3.47 miliardë euro. Për sa u përket investimeve direkte, vlera e tyre deri në shtator 2022 arriti në 567 milionë euro, në krahasim me 395 milionë euro të regjistruara në vitin 2021.
Sa u përket tregueseve tjerë makroekonomikë, vlen të theksohet se mesatarja e inflacionit deri në nëntor të vitit 2022 ishte 11.5 për qind, në krahasim me mesataren vjetore 3.4 për qind, sa ishte në vitin 2021.
Radio Evropa e Lirë: Kur jemi tek inflacioni, a do ta përcjellë ai Kosovën edhe në vitin 2023?
Fehmi Mehmeti: Kjo varet nga agresioni rus në Ukrainë. Është një nga faktorët që ka ndikuar në ekonominë globale, e po ashtu edhe në Kosovë. E, realisht, pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, të kemi ulje të inflacionit deri në masën 6 për qind. Kjo, në masë të madhe, do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pas do të ndikojë edhe në rritjen e konsumit si komponent kryesor i rritjes ekonomike në vend.
Radio Evropa e Lirë: Përmendët se rritja ekonomike do të jetë rreth 4 për qind. A konsideroni se kjo rritje mund t’i adresojë problemet ekonomike dhe sociale në Kosovë?
Fehmi Mehmeti: Unë konsideroj se një rritje e tillë ekonomike – pas të gjitha këtyre presioneve në aspektin negativ, pas pandemisë dhe agresionit rus në Ukrainë – në masë të madhe do t’i adresojë të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës dhe do të ndikojë pozitivisht në rritjen e mirëqenies së tyre.
Kur fola për importet, eksportet, përmenda deficitin tregtar. Deficiti tregtar është një prej atyre [faktorëve] që ndikon negativisht në rritjen ekonomike ose në aktivitetin ekonomik në vend. Duhet të punohet më shumë në drejtim të asaj që të kemi një ndërrim të strukturës së ekonomisë së vendit. Përderisa ekonomia jonë dominohet nga ndërmarrjet tregtare, duhet të punohet më shumë në drejtim të asaj që të ndërrohet struktura e ekonomisë në favor të ndërmarrjeve prodhuese.
Radio Evropa e Lirë: Të ndalemi te sistemi bankar. Deri tash, ky sistem ka rezultuar i qëndrueshëm. Ka pasur rritje të kredive dhe depozitave?
Fehmi Mehmeti: Sistemi financiar në vend vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar dhe likuid. Vlera e aseteve në këtë sistem ka arritur në 9.4 miliardë euro – me një rritje vjetore prej 12 për qind.
Kreditë kanë shënuar rritje për 18 për qind, duke arritur vlerën prej 4.2 miliardë eurosh. Nëse e shohim strukturën e kredive, mbi 65 për qind u dedikohet bizneseve dhe pjesa tjetër shkon për ekonomitë familjare.
Sektori bankar vazhdon të ketë besueshmëri të lartë te publiku, e kjo shprehet përmes rritjes së depozitave, të cilat kanë arritur vlerën e 5.3 miliardë eurove. Te struktura e depozitave është e kundërta e kredive: mbi 67 për qind e depozitave u takojnë ekonomive familjare, pjesa tjera u përket bizneseve. Në anën tjetër, kreditë joperformuese ose të këqija vazhdojnë të jenë shumë të ulëta.
Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni rritjen e depozitave në kohën kur Kosova ballafaqohet me inflacion, paga të ulëta – paga minimale është më e ulëta në Evropë – shkallë të lartë të papunësisë?
Fehmi Mehmeti: Unë më shumë e shoh në atë aspektin që qytetarët kanë besim të lartë në sistemin bankar. Është punuar shumë në këtë drejtim. Norma e interesit në depozita ka shkuar në 1.5 për qind – është rritur krahasuar me një vit më herët, kur ka qenë 1.2 për qind. Dhe, është siguria e tyre [qytetarëve], që të gjenerojnë një profit, një interes shtesë nga depozitat që i lënë.
Radio Evropa e Lirë: Thoni se normat e interesit për depozita janë rritur. Po normat e interesit për kredi kanë shënuar rritje?
Fehmi Mehmeti: Norma efektive e interesit për kredi në muajin tetor 2022 ka qenë 6.2 për qind, krahasuar me 6 për qind, sa ka qenë një vit më herët. Banka Qendrore Evropiane ka marrë tri herë vendime për rritjen e normës së interesit. Po i përmend vetëm dy kategori – për kredi norma e interesit 2.75 për qind, kurse për depozita 2 për qind. Kjo, në masë të madhe, rrit koston edhe në bankat komerciale në Kosovë, por edhe në Eurozonë. Ky veprim është bërë që të pengohet inflacioni. Mirëpo, nuk kam parë ndonjë indikacion që bankat në Kosovë kanë tendencë t’i rrisin normat në kredi.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mehmeti, Kosova nuk e ka ende valutën kombëtare. Cilat kushte duhet t’i plotësojë për këtë?
Fehmi Mehmeti: Është një historik për çështjen e valutës. Ju e dini se menjëherë pas luftës, kemi përdorur markën gjermane si valutë zyrtare, përmes një rregulloreje të UNMIK-ut [misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë]. Pastaj, në vitin 2002, kemi filluar të përdorim euron si valutë zyrtare.
Nëse i shohim përfitimet, kemi më shumë përfitime që e përdorim euron si valutë zyrtare. Të metat ose efektet negative të mospasjes së valutës [kombëtare] jemi munduar t’i eliminojmë përmes krijimit të Fondit Emergjent të Likuiditetit – që si BQK të luajmë rolin e ideatorit të fundit, ose të mbështesim.
Në masë të madhe, ne mund ta zbusim efektin negativ dhe nuk kemi arsye të mendojmë të kemi valutë në të ardhmen, duke pasur parasysh që efektet janë shumë pozitive që e kemi euron si valutë zyrtare. Mënyra se si e përdorim – dihet se e përdorim në mënyrë të njëanshme, sepse nuk jemi pjesë e Eurozonës.
Radio Evropa e Lirë: Kosova është shteti i vetëm në rajon, i cili nuk ka rezerva të arit dhe metaleve të tjera të çmuara. Ka ndonjë plan që të krijohen rezerva të tilla?
Fehmi Mehmeti: Është fakt që ne nuk kemi rezerva të arit. Mundësia ekziston. Janë vendime, të cilat duhet të bëhen në të ardhmen në koordinim me Qeverinë. Ne, si BQK, mundësitë i kemi, jemi të gatshëm, kemi kapacitet. Vendin ku ta ruajmë, e kemi. Nga këndi ynë, si BQK, jemi të gatshëm për të bërë një [rezervë] të tillë, por këto janë vendime që duhet të merren edhe nga Qeveria.
Radio Evropa e Lirë: A ka BQK-ja portofol për të ruajtur arin dhe metalet e çmuara të klientëve privatë?
Fehmi Mehemti: Kemi mundësi të tilla, por kjo nuk është e rregulluar me ligj dhe aktualisht nuk zbatohet në BQK.
Radio Evropa e Lirë: A ka shprehur interesim ndonjë qytetar për këtë?
Fehmi Mehmeti: Deri më tash jo.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mehmeti, borxhi i përgjithshëm i Kosovës ka arritur në 1.6 miliard euro. A ka rrezik që ky borxh të rritet dhe cilat mund të jenë pasojat?
Fehmi Mehmeti: Ne jemi shumë ulët sa i përket përqindjes së borxhit; deri në 40 për qind e bruto produktit vendor, në bazë të ligjit, lejohet të jetë borxhi. Por, unë them kësisoj, asnjëherë borxhi publik nuk është i lartë përderisa i dedikohet vlerës së shtuar ekonomike. Borxhi gjithmonë është i lartë, në rast se dedikohet në një vend, ku nuk ka vlerë të shtuar për ekonominë.
Radio Evropa e Lirë: Mendoni se për projekte kapitale duhet të rritet ky borxh?
Fehmi Mehmeti: Ne kemi nevojë për investime të huaja. Politikat janë të ndërtuara në drejtim të asaj që janë inkurajuese për investitorët e huaj. Tash rasti i fundit, rasti i arbitrazhit që ka fituar Kosova, që ndërlidhet me kompaninë financiare Iute Credit, është një mesazh i mirë për të gjithë investitorët e interesuar që të vijnë në Kosovë, se këtu është duke u punuar, ka ligje të mira dhe ka zbatueshmëri të tyre.