Sektori i TURIZMIT në Greqi po kalon aktualisht një krizë serioze për shkak të mungesës akute të fuqisë punëtore, veçanërisht gjatë sezonit të verës. Edhe pse shteti mbështetet te punëtorët e huaj, punësimi i tyre është gjithnjë e më i vështirë, pjesërisht për shkak të politikave rigoroze të imigracionit të zbatuara nga qeveria aktuale në Athinë, shkruan DW .
“Do të shkoja në kishën e Megalohari-t sot në gjunjë, vetëm për të gjetur një punëtor për vitin tjetër në kohë”, tha Matina, pronare e butikut Armonia në ishullin e Tinos, duke iu referuar pelegrinazhit tradicional që zhvillohet çdo vit më 15 gusht. Në këtë ishull të njohur turistik, pothuajse çdo vitrinë dyqani ka një tabelë ku shkruhen “Kërkohet staf”. Edhe pse pagat në Tinos janë më të larta se në Athinë dhe akomodimi ofrohet, nuk ka punëtorë.
Marrëveshjet ekzistojnë, por burokracia i pengon ato
Pranverën e kaluar, Greqia nënshkroi marrëveshje me disa vende, përfshirë Armeninë, Indinë dhe Filipinet, për mbërritjen e 40,000 punëtorëve sezonalë. Megjithatë, në praktikë këto marrëveshje funksionojnë dobët, proceset janë të ngadalta, burokracia është e ndërlikuar dhe ofertat shpesh nuk janë tërheqëse.
Një nga të paktat që arriti të shkonte në Greqi është Tamar nga Gjeorgjia. “Kam një muaj që punoj këtu”, tha shitësja e re në një dyqan bizhuterish në Tinos. Ajo pothuajse nuk flet greqisht, por pronari është i lumtur që ka gjetur dikë që të punojë për të. Sipas Shoqatës së Hotelierëve Grekë, aktualisht ka mungesë prej të paktën 60,000 punëtorësh në industrinë e turizmit, nga kamerierët dhe kuzhinierët te recepsionistët dhe pastrueset.
Grekët e rinj po largohen, shqiptarët nuk po kthehen
Presidenti i Federatës Panhelenike të Punonjësve të Sektorit të Turizmit dhe Ushqimit, George Hosoglu, thekson se mungesa e punëtorëve është rezultat i pandemisë. “Po përballemi me një mungesë të paparë të punëtorëve të kualifikuar dhe me përvojë, veçanërisht në industrinë e hotelerisë dhe ushqimit”, tha Hosoglu.
Një nga problemet kryesore është se punëtorët kanë të drejtë për përfitime papunësie vetëm për tre muaj pas sezonit. “Si mund t’i mbijetojnë ata pjesës tjetër të vitit, veçanërisht tani gjatë krizës së zgjatur të kostos së jetesës?” pyet Hosoglu.
Grekët e rinj po kërkojnë gjithnjë e më shumë punë sezonale në Evropën Veriore apo edhe në Islandë. Në të njëjtën kohë, shumë shqiptarë që përbënin shtyllën kurrizore të fuqisë punëtore greke për dekada tani janë gati të dalin në pension ose po largohen për në vende të tjera që ofrojnë kushte më të mira. Përveç 60,000 punëtorëve në turizëm, Greqisë i mungojnë edhe rreth 60,000 punëtorë në ndërtim dhe po aq në bujqësi.
Në vend të zgjidhjeve, kufizime shtesë
Pavarësisht nevojës së dukshme për punëtorë të huaj, qeveria e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka zgjedhur një qasje më të ashpër. Në vend që të lehtësojë migracionin, ai përqendrohet në shtrëngimin e ligjeve dhe tërheqjen e votuesve konservatorë.
Ish-Ministri i Migracionit, Makis Voridis, “ngriu” zgjatjen e lejeve të qëndrimit, dhe ministri i ri, Thanos Plevris, i njohur për pikëpamjet e tij ekstreme, u përqendrua menjëherë te deportimet dhe kufizimet e azilit.
“Kushdo që ndodhet ilegalisht në vendin tonë ka dy mundësi: burg ose kthim”, tha Plevris në Kopenhagen në një takim të kohëve të fundit të ministrave të BE-së, dhe ministria ka nisur tashmë një fushatë me këtë mesazh përmes rrjeteve sociale. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave nga Ministria Greke e Punës, që nga fillimi i vitit, 9,000 persona kanë mbërritur ilegalisht në Greqi, kryesisht nëpërmjet Kretës.