Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur përkrahjen e kësaj partie ndaj protestës që do të mbahet nga OVL – UÇK më 7 gusht, si kundërshtim për procesin gjyqësor në Hagë.
“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në mbështetje të luftës për liri dhe të së drejtës për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë për çlirimtarët tanë. Në këtë frymë, mbështesim protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve”, thuhet në postimin e tij në Facebook.
Krasniqi ka shtuar se është shuar besimi i qytetarëve në drejtësinë që mund të garantojë kjo gjykatë.
“Zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë, të cilat kanë ndodhur nga kjo gjykatë, kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë. Këto shqetësime janë thelluar edhe më tej pas raportimeve të fundit se kjo gjykatë po mbështetet në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë”, ka theksuar tutje Krasniqi.