Policia e Kosovës ka njoftuar se brenda 24 orëve të fundit janë evidentuar një numër i madh aksidentesh trafiku, si dhe raste të tjera penale, përfshirë dhunë në familje, kanosje dhe posedim të substancave narkotike.
Sipas raportit policor, një aksident me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në afërsi të Qendrës së Studentëve në Prishtinë, ku një motoçiklist ka humbur jetën.
“Është arrestuar i dyshuari, shtetas shqiptar me nënshtetësi gjermane, pasi që i njëjti, gjatë drejtimit të automjetit, ka shkaktuar aksidentin duke goditur një motoçikletë, të cilën po e drejtonte viktima – mashkull kosovar. Ky i fundit ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është ndaluar në mbajtje”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe 24-orëshe, janë regjistruar gjithsej 39 aksidente me të lënduar dhe 86 me dëme materiale. Po ashtu, janë shqiptuar mbi 2050 gjoba për kundërvajtje në trafik.
Policia ka arrestuar 19 persona, prej të cilëve 12 janë ndaluar në mbajtje. Të arrestuarit dyshohen për vepra të ndryshme penale, përfshirë dhunë në familje, kanosje dhe posedim të narkotikëve.
Ndërkohë, në pikëkalimet kufitare janë ndaluar dy shtetas të Serbisë, të cilët dyshohet se kanë kaluar ilegalisht kufirin në drejtim të territorit të Kosovës.
“Në fshatin Stublinë të Gjilanit, njësitet policore gjatë patrullimit kanë ndaluar dy persona me shtetësi serbe, të cilët dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës. Pas konsultimit me prokurorin, ndaj tyre është iniciuar procedurë për kundërvajtje dhe janë dërguar në gjykatë në procedurë të shpejtë”, bëhet e ditur në raportin e Policisë.