Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi ka njoftuar se janë aprovuar aplikimet e Kosovës në programin e Bashkimit Evropian (BE) të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Kosova edhe pse është nën masat e BE-së, sipas tij, do t’i përfitojë mbi 2 milionë euro në fushën e energjisë dhe digjitalizimit.
“Aprovohen aplikimet e Kosovës në programin e BE-së të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), vendi përfiton mbi 2 milionë euro. Përkundër faktit që vendi ynë ishte nën masa të padrejta të BE-së, vitin e kaluar aplikuam në thirrjet e Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) me katër projekte në fushat e energjisë dhe digjitalizimit”, shkruan Bislimi në facebook.
Këto aplikime, sipas tij, morën opinion pozitiv fillimisht nga komisioni i vlerësimit, ndërsa tash u zyrtarizua dhe aprovimi final i tyre.
“Shuma e granteve të asistencës teknike në këto projekte arrin totalin prej mbi 2 milionë euro: për projektet e energjisë vlera është mbi 800 mijë euro, ndërsa në ato të digjitalizimit mbi 1 milion e 200 mijë euro”, shkruan ai.
Të gjithë ata që shkruanin e flisnin për humbje të parikuperueshme e kinse humbje të miliona eurove nga fonde të Bashkimit Evropian për shkak të masave vazhdojnë e demantohen, konsideron Bislimi.