Ndonëse u prezantua një vit më parë, projekti mbi transformimin e tulltores, që pritej ta gjallërojë zonën e Kodrës së Trimave, lë shumë për të dëshiruar. Pavarësisht se kryetari i Prishtinës është optimist për përmbyllje të punimeve, opozita komunale këtë projekt e vlerëson si dështim.
Projekti për transformimin e tulltores, i prezantuar nga i pari i Prishtinës në mars të vitit të kaluar, u tha se do t’i japë shpirt të ri kryeqytetit, duke e rivitalizuar të gjithë zonën e Kodrës së Trimave.
Por, tash kur kanë kaluar më shumë se një vit, asamblistët e opozitës komunale, thonë se kryetari Përparim Rama ka dështuar me këtë projekt, ndërkohë që tulltorja ka mbetur e njëjtë.
“Te tulltorja nuk duhet asnjë leje nga niveli qendror, është pronë e komunës, as nuk është në mbrojtje, as nuk është asgjë. E aty për të hyrë duhet të punohet, dhe nuk ia ka nisë, nuk po bëhet asgjë, i kanë vendosur disa lodra, është bërë katrahurë aty, qysh e kanë bë pothuajse krejt qytetin”, tha, Petrit Reçica, asamblist i VV-së në Prishtinë.
“Për të njëjtin projekt, janë dhënë mjete në të dy anët, një anë arkitekti i qytetit me 12 milionë euro, një anë projekti i tulltores 1.2 milion euro, plus mjete tjera të shpërndara përmes UNDP-së e projekti nuk është askund, pra me një fjalë nuk kemi asnjë transformim të tulltores”, tha Leutrim Retkoceri, shef i asamblistëve të PDK-së në Prishtinë.
Megjithëkëtë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shpreh optimizëm rreth përmbylljes së projektit, duke vënë në pah se punimet në tulltore tashmë kanë filluar.
“Projekti i tulltores në aspektin e projektimit, dizajnimit, ka përfunduar, edhe tash veç kemi filluar me punime aty së bashku me UNDP. Jemi duke e transformuar pjesën e parë, faktikisht jemi duke e heqë edhe azbestin prej kulmit. Pra projekti është duke u realizuar edhe ka me qenë projekt fantastik”, tha Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.
Pavarësisht optimizmit, Rama nuk ishte në gjendje të japë një datë se kur do të përmbyllen punimet në tulltore. Sipas tij, komuna është në proces e sipër, proces ky që zgjat nga 18 deri në 24 muaj.