Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit T.K., për një periudhë prej 1 (një) muaji, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasje e Rëndë”.
Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se masa e paraburgimit është adekuate në këtë fazë të procedurës dhe se çdo masë tjetër nuk do të ishte e mjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
Sipas aktakuzës, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.K., mes datave 3 dhe 4 gusht 2025, në fshatin Baicë të Komunës së Lipjanit, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake mes vete, me dashje dhe në mënyrë dinake së bashku me persona ende të paidentifikuar, ka privuar nga jeta të ndjerin Enver Bajraktari.
Sipas prokurorisë, i ndjeri Bajraktari kishte dalë më 3 gusht për të kullosur gjedhin e tij, ku më pas është sulmuar me mjete të forta në kokë e në trup, është ngulfatur dhe trupi i tij tërhiqet zvarrë për disa metra duke kaluar përmes një arre të mbjellë me misër dhe aty fillimisht hiqen disa rrënje misri, gërmohet një gropë me thellësi mbi 1m, në të cilën vendoset trupi i pajetë i të ndjerit, e sipër të cilit vendosen dërrasa dhe më pas gropa mbulohet me dhe, kurse aty rivendosen rrënjët e misrit.
Viktima u gjet e groposur më 4 gusht nga familjarët e tij.
Gjykata ka konstatuar se ekziston rreziku që i pandehuri të arratiset, të shmangë thirrjet e Gjykatës dhe Prokurorisë, apo të ndikojë në dëshmi dhe provat, duke marrë parasysh se dyshohet për kryerjen e veprës në bashkëkryerje.
Gjykata gjithashtu ka vlerësuar rrezikun e përsëritjes së veprave të një natyre të ngjashme, duke marrë parasysh peshën e veprës, mënyrën e kryerjes, fshehjen e trupit të viktimës dhe të kaluarën kriminale të të pandehurit, i cili ka dy aktgjykime të mëparshme të plotfuqishme, njëri prej të cilëve dyshohet se ka viktimën të njëjtën person.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese kundër këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.