Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka bërë të ditur se anija “Lissus” me 22 efektivë në bord është nisur nga baza e Sarandës drejt operacionit të NATO-s “Sea Guardian” në detin Egje, ku do të shërbejë për 6 muaj në kuadër të sigurisë detare të Mesdheut.
Në një postim në rrjetet sociale, Vengu u shpreh se “në tokë e në det, Forcat e Armatosura në misionet ndërkombëtare mbajnë mbi shpatulla peshën e krenarisë dhe përgjegjësisë në Aleancë, ku shpesh kanë qenë vendimtare në aksionet për shpëtimin e jetës”.
Ministri bëri të ditur se kishte vizituar anijen përpara nisjes, duke përcjellë urimet për një mision të suksesshëm dhe mirënjohjen për profesionalizmin dhe përkushtimin e trupës së udhëhequr nga kapiteni Jetnor Balla.
Vetëm gjatë këtij viti, ekuipazhet shqiptare kanë kryer 5 operacione të suksesshme në Egje, duke shpëtuar mbi 120 jetë. Në total, misionet e Forcave të Armatosura në Egje kanë realizuar 29 operacione, duke shpëtuar mbi 700 persona.