Sikundër njofton Zyra e Kryeministrit, ata fillimisht vizituan punimet e sapofilluara për rivitalizimin e rrugës “Ibrahim Shabani”, rrugë kjo që lidh Shtimen me Ferizajn dhe Lipjanin. Rruga ka gjatësi dy kilometra dhe gjerësi prej pesë metrave.

“Vlera e projektit është 419,750 euro dhe financohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Punimet pritet të përfundojnë brenda një viti. Me këtë rast, kryeministri uroi punime të mbara dhe të shpejta, ashtu që banorët e kësaj zone ta gëzojnë sa më parë këtë projekt të rëndësishëm për ta”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se kryeministri në detyrë vazhdoi për në qytetin e Shtimes, ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të trasesë që lidh rrugën “12 Qershori” me “William Walker” në kuadër të unazës së vogël të qytetit, një investim në vlerë gati gjysmë milionë euro. Traseja është e gjatë 375 metra dhe gjerësi gjashtë metra, dhe ka të gjithë infrastrukturën përcjellëse, si rrjedhën e kanalizimit atmosferik, ndriçimin publik dhe trotuarin në dy anët.

Me rastin e përurimit, ai u shpreh se “shpesh vijmë e kthehemi në Shtime për shkak të investimeve të vlefshme, të cilat po i bëjmë edhe si Qeveri e Republikës së Kosovës, por edhe si Komunë e Shtimes”, teksa falënderoi banorët për mikpritjen e përzemërt dhe i uroi për projektet që po finalizohen.