Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka mbajtur një konferencë për media për të treguar detajet e protestës që do të mbahet në Hagë, më 14 shtator.
“Arsyeja pse kjo protestë mbahet më 14 shtator është sepse më 15 shtator do të jepet dëshmia e dëshmitarit të parë nga ana e mbrojtjes sonë, e që është nga Amerika”, ka thënë Hysni Gucati.
Ai ka thënë se i vetmi detaj për t’u konfirmuar ka mbetur përzgjedhja e lokacionit.
“E kemi bërë kërkesën me kohë për lejimin e protestës te autoritetet holandeze dhe na është kthyer e-maili. Vetëm ka mbetur vendi të hulumtohet se ku do të mbahet. Jemi në pritje e sipër. Si protestë është pranuar”, ka thënë Gucati.
Ndërkaq, organizatori Fatmir Koci ka thënë se shumë mërgimtarë tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
“Kemi interesim të madh të mërgimtarëve gjithandej diasporës, nga Amerika, Australia e largët, Evropa që me 14 shtator të jemi të gjithë të bashkuar. Është koha e fundit për të qenë të gjithë bashkë dhe t’i tregojmë botës se lufta jonë ka qenë e drejtë, kjo gjykatë që po mbahet është e padrejtë”, ka thënë ai.
Më 7 gusht përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta kanë kundërshtuar procesin gjyqësor në Hagë duke protestuar në Prishtinë. Përveç qytetarëve të shumtë në numër, pjesë e protestës qenë edhe figura të ndryshme publike.