“Ata e sollën edhe një herë një kandidat që e dinin saktë se nuk i merr votat sepse e kemi bërë të qartë se PDK nuk e voton asnjë nga anëtarët e ish-kabinetit Kurti 2, duke përfshirë edhe shefin e grupit parlamentar sa për qartësi. Ajo nga pozicioni i saj e ka ndërlidhjen dhe rëndësinë më të madhe se plotë nga ministrat, por normalisht ka rezerva tjera në pozicionin dhe veprimtarinë e saj gjatë kësaj pozite”, ka thënë ai, pas dështimit të seancës së 56-të për konstituim.

“Këta me vetëdije nuk po dëshirojnë ta konstituojnë Kuvendin sepse ministrat nuk kanë shans të marrin vota”, ka thënë Krasniqi.

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentar. Ai në përpjekjen e 56-të të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është propozuar në emër të Lëvizjes Vetëvendosje nga Donika Gërvalla, e cila ka dhënë edhe arsyetimet e kësaj kandidature. Megjithatë, edhe kësaj radhe nuk u arrit kuota e 61 votave. Nga 115 deputetë të pranishëm për kandidaturën e Muratit votuan 57 deputetë, kundër 52 dhe 6 deputetë kanë abstenuar.