Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i është përgjigjur deputetes nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, Donika Gërvalla, e cila e akuzoi atë dhe disa bashkëpartiakë të tij se u bënë bashkë me Listën Serbe dhe s’ia dhanë votën asaj për kryeparlamentare.
Deputeti Quni ka theksuar se e ka “standard thelbësor” besnikërinë në politikë. Ai ka shkruar në Facebook se nuk mund t’ia besojë një post të rëndësishëm “një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë”.
Sipas tij, kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë.
“Pse është e rëndësishme besnikëria në politikë? Për mua, besimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Kjo vlen edhe për politikën. E dëgjova ankesën e deputetes Donika Gërvalla-Schwarz që nuk e votova për kryetare të Kuvendit. Kjo më bëri të reflektoj mbi një standard që unë e kam thelbësor: besnikërinë. Kam një parim të palëkundur, si në jetë, ashtu edhe në punë: nuk mund t’ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë. Unë besoj vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen. Është kjo besnikëri që ndërton besim dhe bën të mundur punën e vërtetë, atë që është në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ai.
Gërvalla në një deklarim për media ka theksuar se disa deputetë të LDK-së, përfshirë Qunin, se u bënë bashkë me Listën Serbe për të votuar kundër saj.
“LDK ka pasë mundësi ta zhbllokojë Kuvendin nuk e ka bërë një gjë të tillë. Imagjinoni, aty në Kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës, Besian Mustafa, nipi i Tahir Zemaj, Armend Zemaj, janë ulur dy komandantë të Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni, dhe këta të katërt janë bërë bashkë me PDK-në dhe Listën Serbe për të votuar kundër Donika Gërvallës”, ka deklaruar ajo.