Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për kandidatët e propozuar deri më tani për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Tahiri i ka cilësuar Albulena Haxhiun, Donika Gërvallën dhe Hekuran Muratin si persona që sipas tij kanë “rekord të zi” ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Albulena Haxhiu dhe grupi parlamentar i LVV-së kanë miratuar ligjin për themelimin e Institutit për Hetimin dhe Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duke zgjatur afatin e këtyre hulumtimeve deri më 31 dhjetor 2000. Po kush ka luftuar në Kosovë pas qershorit 1999?! Pra, veteranët e UÇK-së mund të ndiqen për krime lufte deri më 31 dhjetor 2000, sipas ligjit të Albulenës – pikërisht ashtu siç do Serbia. Ky është shërbimi më i madh që i është bërë Serbisë”, ka shkruar Tahiri.
“Donika Shvarc ka treguar vetë se ka bërë hetime personale, ka fabrikuar dosje për krerët e UÇK-së (me siguri bashkë me prokurorë serbë) dhe thotë se i ka dorëzuar pranë Gjykatës, duke u mburrur vetë me këtë veprim. Hekuran Murati i ka përjashtuar nga paga minimale tri kategoritë më të lavdishme të shoqërisë sonë: Veteranët e UÇK-së, Familjet e Dëshmorëve dhe Invalidët e UÇK-së”, ka shtuar ai.