Shqipëria do të ndikohet sot nga kushte të qëndrueshme atmosferike, me mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura të larta në shumë zona të vendit.

 

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë paradites moti do të jetë me diell në të gjithë territorin. Nga mesdita e në vijim, në zonat malore lindore do të ketë vranësira kalimtare, të cilat në disa raste do të shoqërohen me reshje të dobëta dhe të herëpashershme.

Reshjet priten kryesisht në qytete si Bajram Curri, Kukës, Peshkopi dhe Korçë, ku temperaturat do të variojnë nga 12 deri në 31 gradë Celsius.

Në pjesën tjetër të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Fierin, Elbasanin dhe Beratin, moti do të jetë me diell dhe i nxehtë. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 33°C, veçanërisht në zonat e jugut.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndimor dhe verilindor, me shpejtësi mesatare. Në zonat luginore dhe përgjatë bregdetit priten momente me erë më të fortë, deri në 12 metra në sekondë. Deti do të jetë i qetë, me valëzim të ulët, 1-2 ballë.