Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për TVP World, ka thënë se forcat e liga, si Rusia, po përpiqen të ndikojnë në Ballkan, sepse kanë një “interes strategjik” dhe synojnë të destabilizojnë sistemin e vlerave të BE-së dhe NATO-s.
Duke folur për këtë televizion në kuadër të Forumit Evropian në Alpbach, presidentja Osmani ka folur për ndikimin në rritje të “trekëndëshit të së keqes” dhe ka theksuar sfidat më urgjente për vendin.
“Shpeshherë them se kur shohim forca të liga si Rusia, Kina dhe Irani, këtë trekëndësh të së keqes që përpiqet të ndikojë në Ballkanin Perëndimor, ata nuk e bëjnë për bamirësi, por sepse kanë një lloj interesi strategjik”, ka thënë ajo.
Sipas saj, për Kosovën, problemi më i madh është Serbia. Duke cituar Misionin e Vëzhgimit Evropian, ajo ka thënë se është provuar që Serbia, “me ndihmën dhe mbështetjen e Rusisë”, ka ndërhyrë në zgjedhjet më të fundit parlamentare në Kosovë.
“Sfida jonë më e madhe, siç thashë, është fakti që Serbia vazhdon t’i shohë shtetet fqinje si shtete të përkohshme”, ka deklaruar presidentja, duke krahasuar këtë perspektivë me “mentalitetin imperialist dhe hegjemonist që ka Rusia.”
Megjithatë, presidentja Osmani ka thënë se në politikën e madhe të Kosovës, “nuk ka ndikim rus apo serb apo të ndonjë tjetri. Është gjithçka shumë lokale.”
Osmani ka deklaruar se Kosova është e etur për t’u anëtarësuar në BE, dhe se mungesa e një shumice parlamentare po bllokon projekte evropiane dhe bashkëpunimin me administratën amerikane.
Osmani: Vuçiq është mjeshtër i propagandës dhe zgjodhi karrigen e Rusisë
Presidentja Osmani, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është mjeshtër i propagandës. Sipas saj, Vuçiqi përmes propagandës po i bën Perëndimit të besojë se ai qëndron mes dy karrigeve, por në të vërtetë ka zgjedhur të ulet në karrigen e Rusisë.
“Vuçiqi ka përdorur propagandën si mjet kryesor për dekada. Kur Millosheviqi shkaktonte luftë në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, ai e zgjodhi Vuçiqin ministër të propagandës. Nga e gjithë ish-Jugosllavia, Vuçiqi u emërua ministër i propagandës në kohë lufte. Sot, si president i Serbisë, ai është mjeshtër i propagandës. E përdor atë për ta bindur Perëndimin se është në mes dy karrigeve, por nuk është ashtu. Ai është në karrigen e Rusisë, ndërsa tjetra është vetëm aktrim, bazuar në përvojën time. Tash propagandën po e përdor edhe kundër njerëzve të tij”, ka deklaruar Osmani.
Ajo u pyet edhe nëse mendon se situata në Serbi, me protestat masive, mund të ndikojë në Kosovë.
“Kur Vuçiqi është në vështirësi në vendin e tij, ai tenton të shkaktojë probleme në Bosnjë, Kosovë dhe pjesë të tjera. Pastaj përdor kartën nacionaliste për të larguar vëmendjen. Por ne jemi të gatshëm ta mbrojmë vendin tonë dhe ta neutralizojmë çdo agresion që mund të ketë në mendje”, ka deklaruar presidentja Osmani.