Është dërguar në Gjykatë, Lubisha Milkoviq, i dyshuar për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës para objektit të Komunës së Zveçanit më 29 maj të vitit 2023.
I dyshuari Lj.M. është sjellë në ambientet e gjykatës, ku pritet të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 25 gusht ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tij, duke e ngarkuar me disa vepra penale.
Sipas PSRK-së, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”, “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm” si dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, më 29 maj 2023, para objektit të komunës së Zveçanit, i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të dyshuar, ka sulmuar me gurë, bomba molotov dhe armë zjarri pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që po raportonin për ngjarjen.
Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e tij, autoritetet kanë siguruar prova materiale, përfshirë një telefon, disa uniforma ushtarake, dy USB si dhe një bluzë me mbishkrim me motive nacionaliste, përmes të cilave pretendohet se konfirmohen veprimet inkriminuese të të pandehurit në ditën kritike.