Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se rasti është raportuar rreth orës 14:30.

“Me datë 01.09.2025, rreth orës 14:30, stacioni policor në Suharekë është informuar nga Emergjenca–Suharekë se kanë pranuar një person me lëndime të rënda”, deklaroi ai.

Policia menjëherë ka dalë në vendngjarje dhe ka kontaktuar ekipin mjekësor, i cili konfirmoi se viktima, P.O., rreth 35 vjeçar nga Mushtishti, ka qenë pa shenja jete.

“Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se viktima, gjatë punës duke operuar me një ngarkues (vinç), në rrethana ende të paqarta, është goditur rëndë në kokë”, theksoi Bytyqi për RTKlive.

Për shkak të lëndimeve të marra, ai nuk ka arritur të mbijetojë.

Njësitë e hetuesisë, në bashkëpunim me prokurorin kujdestar, po zhvillojnë hetime për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.