Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe nën asistencën e Inspektoratit të Punës, ka zhvilluar sot një aksion të gjerë kontrolli në 20 lokacione në komunat Pejë, Klinë, Istog dhe Deçan, në lidhje me sigurinë e punëtorëve në vendin e punës.
Aksioni, i udhëhequr nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, Lumturije Vuçetaj, u mbështet nga 9 prokurorë të shtetit dhe 60 zyrtarë policorë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.
Sipas Prokurorisë gjatë kontrolleve, në të gjitha vendpunimet janë evidentuar parregullsi serioze që cenojnë sigurinë e punëtorëve dhe qytetarëve.
Si rezultat, me urdhër të prokurorit të shtetit janë shoqëruar në stacion policor personat përgjegjës të disa kompanive ndërtimore, ndërsa shtatë kantiera ndërtimi janë mbyllur, përkatësisht:
Dy në Pejë, tri në Istog, një në Klinë dhe një në Deçan.
Në disa raste janë evidentuar edhe elemente të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, e sanksionuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Për këto raste janë iniciuar procedura penale.
Po ashtu, janë njoftuar edhe institucionet relevante për hetim të mëtejmë dhe përpilim të raporteve ligjore sa i përket lejeve të ndërtimit dhe punimeve të kundërligjshme. Raportet do t’i dërgohen Prokurorisë për veprim të mëtejmë.
Sipas statistikave të Prokurorisë Themelore në Pejë, vetëm gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë regjistruar 19 raste të kësaj vepre penale, ku 3 punëtorë kanë humbur jetën, ndërsa 16 të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore në vendin e punës.
Prokuroria shprehet se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëtorëve dhe inkurajon qytetarët që të raportojnë çdo rast ku cenohen kushtet e punës apo siguria në ndërtim, në mënyrë që përgjegjësit të ndiqen penalisht dhe të dalin para drejtësisë.