Në një deklaratë të publikuar nga Presidenca, Osmani thekson se raporti me SHBA-të nuk është vetëm diplomatik, por ekzistencial për identitetin shtetëror e kombëtar të Kosovës.

“Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe SHBA-ve”, thuhet në deklaratë.

Tutje theksohet se Dialogu Strategjik u iniciua nga Presidentja në vitin 2021, përmes një propozimi të adresuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se ky propozim i Presidentes u rikonfirmua në qershor 2022, me anë të notës verbale dhe gjatë takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, në korrik të po atij viti.

“Pas punës së jashtëzakonshme të ekipit të Presidencës dhe të Departamentit të Shtetit, ky proces u finalizua me konfirmimin përfundimtar në takimin mes Presidentes Osmani dhe Departamentit të Shtetit, në janar 2025. Çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot”, thuhet në deklaratën e Osmanit të publikuar nga Presidenca.

Më tej thuhet se presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë. Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i këtij bashkëpunimi. Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes”, përfundon deklarata e Osmanit.