Deputeti i LDK-së, në një reagim në profilin e tij zyrtar, ka theksuar se një goditje e tillë do të ishte shmangur, nëse presidentja Vjosa Osmani do ta kishte përmbushur detyrimin kushtetues për të mbrojtur Kushtetutën, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sistemin gjyqësor, prokurorinë, gazetarët, bizneset dhe të gjitha komunitetet nga sulmet e Albin Kurtit.

“Në vend se të kryente obligimin e saj kushtetues, Osmani vazhdimisht zgjidhte heshtjen, ose rreshtohej pas Kurtit”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, ky vendim i SHBA-së është një zile e re alarmi për të gjithë ata që mbajnë përgjegjësi institucionale apo politike, shumë prej të cilëve janë tërhequr zvarrë prej vitesh nga narrativi i popullizmit të dëmshëm të Kurtit, i cili ka sjellë edhe këtë reagim të SHBA-së.

“Zilja ra sërish dhe kësaj here shumë fuqishëm. Nesër, kur mund të jetë vonë, askush nuk do të mund të thotë se nuk u zgjua, sepse askush nuk i ra ziles. Zilja kishte rënë edhe në fillim të vitit 2020. Atëherë, LDK-ja zgjodhi partneritetin me SHBA-në, para ruajtjes së pozitave qeveritare”, ka shkruar Hoti.