Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot pasdite në rrugën “Skenderbeu” në Podujevë, ku për pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar.
Sipas zëdhënëses së Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:30 dhe ka përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje. Më pas, automjetet janë përplasur me rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara.
“Sot rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën se në rrugën “Skenderbeu” në Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë e përfshirë një veturë dhe një kamion në lëvizje, më pas janë goditur rrethojat e një objekti dhe disa automjete të parkuara. Në këtë aksident ngasësi i kamionit ka humbur jetën dhe janë lënduar katër persona të tjerë. Vdekja e viktimës është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërkohë që personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor”, tha Ahmeti.
Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.