Projekte që ndikojnë direkt në jetën e qytetarëve, por mbi të gjitha, një menaxhim më i mirë dhe i përgjegjshëm, ishin disa nga premtimet që drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, bën sot për qytetarët e Shtimes.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se partia që drejton është shpresa e ndryshimit të madh kurse Kastriot Shabani, kandidat i kësaj force politike për kryetar të Shtimes, u zotua për realizim planesh e zhvillim të hovshëm.
Shtimja ishte destinacioni i radhës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, drejtuesit e së cilës, para votuesve, bashkë me kandidatin për kryetar të kësaj komune, paraqiten planet dhe projektet për katër vitet e ardhshme.
Zotimin për punë e zhvillim, shtimjanëve ua dha vetë kryetari I LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në këmbim, ai kërkoi votën për Kastriot Shabanin, kandidatin e kësaj partie për kryetar komune.
Abdixhiku tha se Shtimja meriton përkushtimin maksimal dhe se LDK-ja është shpresa e ndryshimit të madh në të mirë të gjithë qytetarëve. “Me fitoren e LDK-së fiton gjithë Kosova”, tha ai.
Vizionin por edhe planet për zhvillim të Shtimes, i paraqiti Kastriot Shabani, kandidat i LDK-së për kryetar të kësaj komune. Ai premtoi zhvillim të hovshëm në ekonomi e investime në sektorë të tjerë.
Por mbi të gjitha, Shabani u shpreh se banorëve të Shtimes u duhet një menaxhim i mirë dhe i përgjegjshëm.
Në këtë tubim u tha se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet shpresa e qytetarëve të këtij vendi, prandaj drejtuesit e saj, kërkuan votën e qytetarëve që sipas tyre, kjo shpresë të bëhet realitet.