Vetëm pak më shumë se një javë pasi avionët e NATO-s rrëzuan dronë rusë mbi Poloni, duke rritur frikën se lufta në Ukrainë mund të përhapet.

Ministri i Jashtëm, Margus Tsakhna, tha se Rusia e ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë katër herë këtë vit, “por shkelja e sotme, me tre avionë luftarakë që hyjnë në hapësirën tonë ajrore, është pa precedent dhe e pa­turp”, raporton AP.

Zyrtarët rusë nuk komentuan menjëherë për këtë ngjarje.

Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia ishte incidenti më serioz i këtij lloji në një vend anëtar të NATO-s që nga fillimi i luftës në Ukrainë me pushtimin e plotë rus në shkurt 2022. Vende të tjera të aleancës kanë raportuar shkelje të ngjashme dhe rrëzime dronësh në territorin e tyre.

Zhvillimet kanë tronditur gjithnjë e më shumë qeveritë evropiane, ndërsa përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për ta ndalur luftën në Ukrainë nuk kanë dhënë rezultat.

Por ndaj këtij veprimi provokues rus kanë reaguar avionë italianë F-35.

Avionët luftarakë rusë MIG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë pranë ishullit Vaindloo, një ishull i vogël në Gjirin e Finlandës në Detin Baltik, tha ushtria estoneze në një deklaratë të veçantë.

Avionët nuk kishin plane fluturimi dhe transponderët e tyre ishin të fikur, thuhej në deklaratë, dhe nuk ishin në komunikim dy­drejtimësh me shërbimet estoneze të trafikut ajror.

Avionë luftarakë F-35 të Forcës Ajrore Italiane, të dislokuar aktualisht si pjesë e misionit të NATO-s për patrullimin ajror të Baltikut, iu përgjigjën incidentit, sipas deklaratës.

“Testimet gjithnjë e më të gjera të kufijve nga Rusia dhe agresiviteti në rritje duhet të përballen me një rritje të shpejtë të presionit politik dhe ekonomik,” tha ministri i Jashtëm, Tsakhna.

Përfaqësuesi i ngarkuar me punë i Rusisë u thirr dhe iu dorëzua një notë proteste, njoftoi Ministria e Jashtme estoneze.