Për javën e pestë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të SC Gjilanit, Robert Rrahmani, i cili shkëlqeu me paraqitjen e tij në fitoren e rëndësishme të skuadrës gjilanase ndaj Ferizajt (0:1), duke realizuar golin e vetëm në këtë ndeshje dhe duke siguruar tri pikë të vlefshme për ekipin e tij.

Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Blerim Haxholli, Isuf Llumnica dhe Denis Isaja.

Pas pranimit të këtij çmimi, Rrahmani u shpreh i lumtur për këtë vlerësim dhe theksoi se për ndeshjen kundër Ferizajt skuadra ishte përgatitur shumë mirë, me synimin e vetëm për të marrë tri pikët, pa e pasur prioritet lojën e bukur. Ai potencoi se trajneri ua kishte bërë të qartë se duhej të luftonin vetëm për fitoren.

“Nuk kemi pasur si synim as lojën e bukur, as të dalim nga detyrat tona. Trajneri na e ka bërë të qartë që duhet të luftojmë vetëm për tri pikë. Për Gjilanin, angazhimi dhe shpërblimi janë trofetë gjithsesi, sepse kemi një fond shumë të mirë lojtarësh dhe konkurrenca është e madhe dhe e shëndoshë. Nuk kemi më hapësirë për gabime”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Në fund, Rrahmani falënderoi FFK-në për çmimin e dhënë dhe ia dedikoi këtë vlerësim bashkëlojtarëve për angazhimin dhe mundin e treguar, duke theksuar se edhe ata janë pjesë e këtij suksesi.