Nga kjo akademi përkujtimore, kryekuvendari, Dimal Basha i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar t’i bëjë presion Serbisë që t’ia dorëzojë ata terroristë Kosovës, në mënyrë që të vihen para drejtësisë.

Ai tha se akti terrorist i dy viteve më parë që i mori jetën rreshterit Bunjaku ishte i sponsorizuar, i financuar e  realizuar nga vetë shteti serb.

Nga këtu përsëri kërkojmë nga faktori ndërkombëtar të bëjnë më shumë trysni të drejtpërdrejt mbi shtetin serb që terroristët e aktit në Banjskë të ekstradohen në vendin tonë dhe të vihen para drejtësisë këtu, ku tashmë prej më shumë se një viti është ngritur aktakuza”, ishte thirrja që Basha e pati për faktorin ndërkombëtar në dyvjetorin e vrasjes së rreshterit, Afrim Bunjaku.

Basha tutje tha se Bunjaku me veprën e tij sublime u bë dëshmi dhe garanci e sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Bashkë me kolegët e tij policë, në saje të vullnetit të hekurt politik dy vjet më parë e në vazhdimësi u dëshmua se mbrojtja e Republikës, përveçse detyrë profesionale është përkushtim e betim për mbrojtjen e bazamentit të Kushtetutës tonë që Kosova të mbetet gjithmonë shtet i pavarur, sovran, unik dhe i pandashëm”, tha Basha.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se në rrugën e gjatë e të vështirë të çlirimit e shtetndërtimit në të cilin ka kaluar atdheu, 24 shtatori i vitit 2023 do të jetë një nga datat kyçe në kronologjinë e historisë së Republikës së Kosovës.

“Atë ditë të diele të 24 shtatorit të vitit 2023 shteti i Kosovës u përball me sulmin më agresiv dhe më të rrezikshëm të sovranitetit dhe tërësisë së Republikës. Kjo pasi në orët e para të mëngjesit një grup terroristësh serb të armatosur rëndë kryen një agresion me qëllim të marrjes nën kontroll dhe shkëputjes së një pjesë të territorit të Kosovës në veri. Por, reagimi profesional i vendosur dhe i guximshëm i policëve të Kosovës e dështoi këtë operacion, duke e mbrojtur tokën e Kosovës paprekshmërinë  e territorit dhe pandashmërinë e Republikës”, tha Kurti.

Kreu në detyrë i qeverisë tha se, Afrim Bunjaku është dëshmor i mbrojtjes së territorialitetit të shtetit të Kosovës, hero i guximit profesional dhe i respektimit të detyrave policore dhe i betimit në Kushtetutën e Kosovës.

“Grupi terroristëve serb që e sulmoi Kosovën në veri të saj e që më 24 shtator të vitit 2023 ishte një grup paraushtarak i organizuar, i trajnuar, i instruktuar dhe i financuar nga shteti i Serbisë. Të gjithë pjesëtarët e atij grupi janë stërvitur nga ushtria, xhandarmëria serbe që janë furnizuar me armë, me municione e pajisje të prodhuara në fabrikat shtetërore të industrisë së armatimit në Serbi. Se sa serioz ishte plani aneksues karshi territorit të Republikës së Kosovës atë ditë, e ka treguar sasia aq e madhe e armatimit, e municionit, e uniformave dhe e pajisjeve taktike ushtarake, e makinave të blinduara dhe të adaptuara për operacione ushtarake, e hartave dhe e pajisjeve të llojllojshme teknologjike që janë kapur në fshatin Banjskë në ditët e para pas operacionit. Që ky plan operacional ishte menduar të shtrihej në një zonë të gjerë të veriut të vendit tonë me qëllim shkëputjen e tij, është dëshmuar edhe nga fakti që edhe dy vite më pas deri para pak ditësh, Policia e Kosovës ka vazhduar të gjejë armë, municione, uniforma dhe pajisje të ndryshme ushtarake nëpër lokacione të ndryshme ushtarake në veri, ka dëshmi se kanë lidhje me të njëjtat aktivitete kriminale”, tha Kurti.

“Në dyvjetorin e sulmit në Banjskë më lejoni të theksoj që Milan Radoiçiq, personi që kemi dëshmi të pamohueshme që ka qenë i përfshirë dhe në krye të grupit në Banjskë ka aktakuzë të ngritur në Kosovë, dhe ndonëse edhe vetë e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë ai është liruar nga paraburgimi një ditë pas arrestimit në Serbi, ku tash e dy vite është edhe i lirë edhe aktiv në Beograd. Ndërkaq shtetasi i Kosovës, Arbnor Spahiu  që akuzohet nga Serbia që ka qenë i përfshirë si polic në rastin e Banjskës, ndonëse ai nuk ka qenë fare pjesëtar i Policisë së Kosovës kur Banjska kishte ndodhur dhe prej kohësh po jetonte në Gjermani, po mbahet në paraburgim që nga 7 qershori, tash e 110 ditë. Bashkësia ndërkombëtare fatkeqësisht ka dështuar ta trajtojë me sukses si njërin ashtu edhe tjetrin rast, ndonëse te i pari kemi të bëjmë me kriminel terrorist ndërkombëtar, kurse te i dyti thjesht me një qytetar që po i shkelen liritë e po i dhunohen të drejtat”, tha Kurti.

 

Sipas tij, EULEX-i duhet t’i bashkëngjitet kërkesës së Kosovës për dorëzimin e Milan Radoiçiqit para drejtësisë në Kosovë.

“Ne jemi shtet demokratik dhe sigurojmë proces të drejtë gjyqësor për secilin, pavarësisht të peshës së rëndë të veprës në këtë rast apo përkatësisë etnike të të akuzuarve”, nënvizoi kryeministri në detyrë.

Nga foltorja në këtë akademi, plot emocione solli djali i vogël i heroit Bunjaku, Fatlumi.

 

“Kanë kaluar dy vite  nga ajo ditë e dhimbshme, kur ai ra heroikisht, por plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë. Çdo mëngjes kur zgjohem e ndiej boshllëkun që ka lënë e kujtoj buzëqeshjen e tij, por bashkë me mallin e di që ai ra për një ideal më të madh, për atdheun, për kufijtë, për Kosovën tonë. Babai im prehu i qetë, ne do të ndjekim rrugën tënde”, tha ai, fjalim që i ngriti në këmbë të gjithë të pranishmit që pareshtur e përcollën atë me duartrokitje.

Xhelal Sveçla, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme, tha se nuk e ka të lehtë të flasë pas fjalës së të birit të heroit Bunjaku.

Por, tha se çdokush që e mori lajmin atë mëngjes, përveç dhimbjes, në fund të ditës ndjeu edhe krenari të pakufishme.

 

“Sulmet e vazhdueshme që kishte ndërmarrë Serbia ndaj Republikës tonë atë vit, kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë. Ky akt dëshmoi rifreskimin e planeve të vjetra për territorin e Republikës së Kosovës. Heroi Afrim Bunjaku, atë mëngjes u ballafaqua me instrumentet e  armatosura të këtij plani, ata synonin aneksimin e 17 për qind të territorit tonë, të Kosovës tonë”, tha Sveçla.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, tha se dy vite më parë u krye akt i rëndë terrorist kundër rendit kushtetues të Kosovës e kjo, tha ai, ishte sfida më serioze e sigurisë që nga shpallja e pavarësisë.

 

“Sulmues të armatosur  me armë të rënda, eksploziv e me mjete të blinduara e arsenal i tërë i një ushtrie të tërë u mbyllen brenda mureve të Manastirit të Banjskës. Akti terrorist i atij mëngjesi nuk ishte vetëm një sulm ndaj rendit kushtetues, por edhe një tentativë për ta shndërruar këtë manastir nga një vend lutjes në një ndërtesë lufte”, tha Hoxha.