Në ankesën e deponuar një ditë më parë nga Vetëvendosja në PZAP, thuhet se Rama në mbledhjen e  jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal më 24 shtator, ku pikë e rendit të ditës ishte votimi i Projektbuxhetit për vitin 2026 ka shfrytëzuar foltoren e Kuvendit Komunal për të bërë fushatë për vete dhe për subjektin që përfaqëson.

“Ftoj qytetarët e kryeqytetit të reflektojnë, që me 12 tetor të ua tregojmë vendimin secilit asamblist që e ka bllokuar dhe vazhdon ta bllokoj këtë proces demokratik të zhvillimit dhe transformimit të kryeqytetit me votën e tyre, prandaj me 12 tetor urojmë ta kemi një shumicë me të cilën do ta vazhdojmë transformimin e qytetit ashtu siç kemi bërë këto 4 vite. Ju uroj ditë të mirë sot dhe fitore me 12 tetor”, është deklarata e Ramës, mbi të cilën është ankuar Vetëvendosje, e që sipas tyre, ai ka shfrytëzuar resurset shtetërore të nivelit lokal për qëllimin e fitimit të votave.

PZAP-ja, ka konstatuar se Rama, me këto veprime ka shkelur dispozitën e nenit 36 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pasi ka shfrytëzuar hapësirat e brendshme të komunës së Prishtinës, respektivisht foltoren e Kuvendit Komunal me qëllim të përfitimit të votave.

LDK-ja në përgjigje të kësaj ankese pretendon se ankesa e LVV-së është e pabazuar meqë, sipas tyre, kandidati për kryetar nga radhët e LDK-së, është kryetar aktual, dhe, siç kanë thënë, e ka përgjegjësi që buxhetin dhe procedurat tjera t’i kryej në të mirë të qytetarëve, pavarësisht fushatës.

LDK detyrohet që gjobën e shqiptuar nga PZAP-ja ta paguaj brenda 15 ditësh, nga momenti i plotfuqishmërisë së vendimit, derisa të njëjtin vendim të PZAP-së, LDK-ja ka të drejtë ta atakojë në Gjykatën Supreme në afat prej 48 orësh nga momenti i pranimit të këtij vendimi.