Nga paraqitja e rastit deri te reagimi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, asaj i duhen disa minuta për të arritur në vendin e ngjarjes.
“Stacioni Policor në Ferizaj ka kohën e reagimit më të shpejtë nga të gjitha stacionet e tjera në nivel Kosove ku koha e reagimit është 13.7 minuta dhe me të pranuar çdo informacion nga qytetarët në stacionin policor menjëherë reagohet patrullat dalin në teren dhe i përgjigjen rastit”, ka thënë Kapiten Nehat Suma -Shef i Operativës në Policës së Kosovës në Ferizaj.
Ditë më parë, falë reagimit të shpejtë të policisë është arritur të ndalohet një tentim-vetëvrasjeje.
“Sapo kemi marrë informacionin e kemi përcjellë tek patrullat e cila ka qenë në terren edhe fal intervenimit shumë të shpejtë tyre kemi arritur me kohë atje të depërtoj në lokal edhe është arritur që të shpëtohet jeta e një vajze nga zyrtarët e stacionit policor të Ferizajt”, ka thënë toger Reshat Hyseni.
Veprimet dhe reagimet e shpejta të policisë në rastet e raportuara po e rrisin besueshmërinë tek ky institucion
“Besojë që ka pasur ndikim shumë të madh pozitiv në ngritjen e imazhit të Policisë së Kosovës edhe rritjen e besueshmërisë tek zyrtarët policor anembanë Kosovës”, ka thënë Kapiten Nehat Suma -Shef i Operativës në Policës së Kosovës në Ferizaj.
Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që çdo rast të dyshimtë apo të rrezikshëm ta raportojë sa më parë.