Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku një person i armatosur raportohet se ka qëlluar në drejtim të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke i marrë jetën.

 

Të shtënat nga autori i dyshuar Elvis Shkëmbi i shkaktuan plagë fatale viktimës. Ai mësohet se u transportua menjëherë për ndihmë, por mbërriti pa shenja jete në Spitalin e Traumës.

Ngjarja ndodhi brenda sallës së gjyqit, ku gjyqtari i ndjerë po ndiqte procesin me palë të tjera. Pjesëtarët e një familjeje, atë e bir, njoftohet se u plagosën në vendngjarje, në kraharor e gjymtyrë, por pa rrezik për jetën.

“Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën,” njoftoi Policia e Shtetit.

Autori i dyshuar i ngjarjes u arrestua pas sulmit dhe është shoqëruar në Komisariatin nr. 1 në kryeqytet. Ai raportohet se e ka pranuar vrasjen. Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe armën e krimit.

Paraprakisht mësohet se i dyshuari Shkëmbi ka qenë pala e dëmtuar e një procesi gjyqësor për një çështje pronësie, e cila po shqyrtohej nga gjyqtari Kalaja. Ky fakt mësohet se u shqiptua prej tij para se të hapte zjarr brenda sallës së gjyqit.