Policia e Kosovës njofton se ka ndërmarrë një plan të veçantë operativ në zonën e Mitrovicës së Jugut, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.
Në njoftim thuhet se fokusi kryesor i këtij plani ka qenë kontrolli i kamionëve me tonazh të rëndë, të cilët shpesh përbëjnë rrezik të shtuar në komunikacion.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në pika të ndryshme të qytetit, policia ka evidentuar një sërë parregullsish teknike dhe ligjore, përfshirë gomat e dëmtuara, mungesën e pajisjeve të detyrueshme si dhe skadimin e regjistrimit të automjeteve.
Sipas policisë, si rezultat i kontrolleve, janë shqiptuar gjoba ndaj 51 kundërvajtësve, në përputhje me ligjin për trafikun rrugor.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht drejtuesit e automjeteve të rënda, që të respektojnë rregullat dhe normat e sigurisë rrugore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve.