Policia Kufitare në bashkëpunim me Autoritetet Doganore finalizuan operacionin e koduar “Tarifa” në pikën kufitare të Morinës, duke goditur një rast të rëndë të kontrabandës së mallrave me akcizë, të destinuara për në Kosovë. Në pranga ranë dy drejtuesit e automjeteve, ndërsa vlera totale e mallrave të sekuestruara arrin shifrën e madhe prej rreth 54.3 milionë lekë (5.5 milionë euro).
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kukësit, kontrollet e intensifikuara në kuadër të luftës kundër krimit ndërkufitar çuan në ndalimin e dy automjeteve në dalje të Shqipërisë, bazuar në informacione operative.
Gjatë kontrollit të detajuar në automjetin tip “Volkswagen” të drejtuar nga shtetasi F. M., u zbuluan: 2194 celularë; 1006 kuti me medikamente mjekësore të ndryshme; 41 000 tableta mjekësore të ambalazhuara në arka.
Ndërsa në automjetin furgon të drejtuar nga shtetasi B. L., u gjetën plot 62 thasë me duhan, me një peshë totale që arrinte në 930 kilogramë.
Si celularët, ashtu edhe duhani dhe medikamentet, janë mallra për të cilat paguhet akcizë e lartë. Mallrat e sekuestruara bashkë me të dy automjetet janë marrë në cilësinë e provës materiale.
Arrestimet dhe akuzat
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë:
• Shtetasi B. L., 52 vjeç, banues në Kukës.
• Shtetasi F. M., 55 vjeç, banues në Kukës.
Të dy akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.