Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vazhduar fushatën zgjedhore në Komunën e Rahovecit. Duke kërkuar mbështetjen e banorëve të kësaj komune, kreu i këtij subjekti, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeverisja e Smajl Latifit është dëshmi e punës së palodhshme, besimit të mbajtur dhe projekteve konkrete dhe investimeve për zhvillimin e Rahovecit.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj bashkë me kandidatin për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, u janë drejtuar qytetarëve të mbledhur në tubimin elektoral në këtë komunë. Haradinaj, tha se me Latifin ndjehet krenar për sic tha, ai punën dhe përkushtimin e tij gjatë mandatit të kaluar.
“Ndjehem i nderuar me Smajl Latifin. Ai është unik në punën dhe përkushtimin e tij. Ka subvencionuar dëmet nga reshjet dhe është i pari që ka rritur të hyrat e buxhetit të komunës. Ky njeri nuk ndan orë për vete, por për njerëzit e tij., e kam një lutje: si ai që ju njeh dhe ua do të mirën, votojeni Smajl Latifin. Çdo votë ka vlerë. Bëhuni bashkë dhe përkrahni Latifin”, tha ai.
Haradinaj shtoi se qeverisja e Latifit është dëshmi e punës së palodhshme, besimit të mbajtur dhe garanci se zhvillimi dhe puna për Rahovecin nuk do të ndalet.
Kandidati i AAK-së për kryetar të Rahovecit, Smajl Latifi, tha se në planprogramin e tij ka vend dhe do të përkrahet çdo kategori.
“Vetëm tre ditë na ndajnë nga historia e re e Rahovecit. Kjo fitore do t’i takojë qytetarëve tanë, bujqve, fermerëve, studentëve dhe punëtorëve. Programi ynë qeverisës është real dhe i zbatueshëm. Ne kemi plan të qartë për çdo kategori dhe nga e hëna do të fillojmë me zbatimin e tij. Nuk do të ndalem nga puna, sepse kam energji e vullnet për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Jemi të bindur se të dielën, në orën 20:00, do ta shpallim fitoren pa balotazh”, tha ai.
Në këtë tubim Latifi u zotua se do t’i vazhdojë projektet që kanë mbetur në gjysmë, duke shtuar se do të ketë edhe projekte të tjera që do të ndikojnë në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në këtë tubim, u prezantua edhe lista e kandidatëve të AAK-së për Asamblenë Komunale të Rahovecit.