Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën e saj elektorale në Mitrovicë. Vetëvendosje atje derisa premtoi investime të shumta në infrastrukturë, arsim e shëndetësi ftoi mitrovicasit të votojnë kandidatin nga koalicioni i Vetëvendosjes me Alternativën e Listën Guxo, për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci.
Në tubimin përmbyllës të Lëvizjes Vetëvendosje në qytetin e Mitrovicës, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti duke zgjedhur fjalët më të mira për kandidatin e tyre për kryetar të kësaj komune ftoi simpatizantët e Vetëvendosjes ta votojnë Faton Pecin.
“Për ta bërë Mitrovicën model zhvillimi na duhet një njeri që e njëh tokën, i don njerëzit dhe ia don punën. Një njeri që e ka dëshmuar se si duhet të menaxhohet e si të realizohet. E këtë njeri e kemi gjetur këtu te ju, e kemi gjetur te Boletinët ai është kryetari i jonë i juaj dhe i ardhshëm, Faton Peci. Me Fatonin kryetar Mitrovica do të ketë zhvillim të qëndrueshëm, me ekonomi lokale të fortë me përkrahje për bujqësinë, me ndërmarrje të vogla e të mesme që vazhdimisht rriten, për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen këtu e jo jashtë. Do ta përfundojmë së bashku Spitalin Mitrovicës, stadiumin Adem Jashari, që do të jetë më moderne, do ta ruajmë e investojmë në Trepçën, në pasurinë e këtij vendi që të mos jetë më simbol i ndarjes por motor i zhvillimit ekonomik të qytetit e gjithë Kosovës”, tha Albin Kurti kryetar i LVV-së.
“Me qeverisjen e VV-së, do t’ia kthejmë çarshinë e vjetër qytetit, do ta ndërtojmë urën e re që lidhë Shipolin me Zhabarin, Gushavcin e deri në Vigmeriq kurse urën e Sitnicës do ta rinovojmë”, tha ai.
Kurse kandidati i LVV-së nga koalicioni me Alternativën e Listën Guxo, për kryetar të komunës së Mitrovicës, Faton Peci kërkoi mbështetjen e bashkëvendësve pasi tha se do ti dëgjojë ata e t’ua zgjidhë të gjitha problemet.
“Ne do të hapim një epokë të re për Mitrovicën në Arsim e punësim, në Shëndetësi e banim, në pastërti e ambient, trafik e infrastrukturë, parkingje e ndriçim në çdo lagje e çdo rrugë. Programi ynë ka tri shtylla kryesore, zhvillim i qëndrueshëm ekonomik e lokal, qytet i gjelbër i pastër dhe funksional, qytet i mundësive të barabarta për zhvillim e punësim. Do të mbështesim ndërmarrjet e mesme e të vogla, do të krijojmë një pikë kontakti për investime nga mërgata dhe të themelojmë një fond të përvitshëm për subvencionin e bizneseve të reja” , tha Faton Peci kandidat i koalicionit LVV e Lista Guxo, për kryetar të Komunës së Mitrovicës.
Rikthimi i çarshisë së vjetër dhe parkingje të reja, gjelbërimi i hapësirave publike, mbrojtja e dhe pastrimi i lumenjve, krijimi i oazave ujore dhe mbrojtja e mjedisit e diversitetit ishin disa nga premtimet tjera të Vetëvendosjes në tubimin përmbyllës të fushatës elektorale në Mitrovicë.