Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj raportimeve për mobilizimin e organizuar të qytetarëve serbë në veri të vendit nga Lista Serbe, një veprim që konsiderohet i kundërligjshëm dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor të Republikës së Kosovës.
E pyetur nga gazetarët për këtë, Osmani tha se ndërhyrjet nga Serbia nuk janë të reja, por se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të garantuar një proces të lirë e demokratik për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata në veri.
“Siç e dini, Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë. Ne, natyrshëm, me institucionet tona të sigurisë, do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve, përfshirë në veri, t’iu garantohet e drejta e votës dhe liria për të zgjedhur”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ndërhyrjet e tilla përbëjnë shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe bëri thirrje për një përfshirje më aktive të institucioneve ndërkombëtare, pas reagimit të Raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën.
“Shpresoj që pas reagimit të Raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën, të kemi edhe më shumë institucione ndërkombëtare që do të reagojnë dhe ndërmarrin masa ndaj këtyre shkeljeve nga ana e Serbisë”, pohoi ajo.
Sipas saj, Serbia po përdor edhe metoda të ndryshme, përfshirë ato kriminale, për të ndërhyrë drejtpërdrejt në proceset zgjedhore të një shteti tjetër, në këtë rast Kosovës.