Megjithatë kreu i Vetëvendosjes, tha se nuk duhet patjetër të pritet dita e fundit e afatit për krijimin e qeverisë. Sipas tij, e rëndësishme është që tash ka nisur numërimi teposhtë, ndryshe nga situata e deritashme që tha se nuk kishte afate për asgjë.

“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca e Kuvendit ku unë prezantoj kabinetin e ri qeveritar është 26 tetori. Këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht  në analizën gjithëpërfshirëse dhe të hollësishme të rezultatit të zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh në këtë javë do të fillojmë komunikimin dhe bisedat edhe për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë, një mandat i ri i qeverisë sonë, neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e 9 shkurtit sivjet. Por, gjithashtu edhe unë si kryeministër në detyrë kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit të plotë katër vjeçar, dhe duhet të kemi një mandat të rregullt që padyshim do të fillojë porsa ne ta nxjerrim në seancë kuvendi përbërjen e re të qeverisë ‘Kurti 3’, tha ai.

Kryetari i Vetëvendosjes shtoi se komunikimi dhe bisedat që do të zhvillojnë, janë ato që do ta përcaktojnë përbërjen e shumicës së re në Kuvendin e Republikës e që do ta votojë qeverinë ‘Kurti 3’.

“Tash për tash duhet t’ia lëmë kohën e komunikimeve, bisedave që zhvillohen e unë nuk mund t ë flas më shumë se kaq në këtë fazë”, deklaroi ai.

Megjithatë, Kurti tha se nëse nuk ka qeveri të udhëhequr nga ai, janë të gatshëm për zgjedhje të reja.

“Ne po bëhemi gati të qeverisim më shumë se kurrë nëpër komuna anë e mbanë Kosovës, të rikthehemi në qeverisje në kryeqytet, e që është shumë e rëndësishme po bëhemi gati për qeverinë ‘Kurti 3’ . Nëse nuk ka qeveri ‘Kurti 3’, pa dyshim që jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare”, deklaroi kreu i Vetëvendosjes, e kreu në detyrë i qeverisë, Albin Kurti.