Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale i Këshillit të Evropës ka përmbyllur misionin e vëzhgimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të mbajtura më 12 tetor 2025.
Në këtë mision, i kryesuar nga Dominique Lévêque nga Franca, morën pjesë nëntë anëtarë të Kongresit, të cilët vëzhguan procesin në 55 qendra votimi të përzgjedhura rastësisht.
Në raportin e tyre, vëzhguesit theksuan se dita e zgjedhjeve kaloi në qetësi dhe me menaxhim të mirë, pavarësisht disa parregullsive të vogla, si mungesa e njohurive të votuesve për ndryshimet në qendrat e votimit, mbyllje jo të njëtrajtshme të kutive dhe përfaqësim të pamjaftueshëm të komuniteteve joshumicë në komisionet e votimit. Gjithashtu, u evidentua mungesa e aksesit për votuesit me aftësi të kufizuara në shumicën e qendrave.
Kryetarja e delegacionit, Dominique Lévêque, vlerësoi ligjin e ri zgjedhor si një hap përpara për një proces demokratik, ndërsa theksoi edhe pjesëmarrjen aktive të komunitetit serb në zgjedhje. Megjithatë, u shprehën shqetësime lidhur me politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vendimet fillestare për refuzimin e Listës Srpska dhe mediave në gjuhën serbe, të cilat më vonë u rishikuan.
Vëzhguesit gjithashtu u shprehën keqardhje për numrin e ulët të grave kandidate dhe përfaqësimin e tyre në administratën zgjedhore, duke sugjeruar nevojën për përpjekje më të mëdha për përfshirjen e tyre në demokracinë lokale.
Raporti përfundimtar i këtij misioni do të diskutohet në Sesionin e Kongresit të Këshillit të Evropës në mars 2026.