Megjithatë, ai ka sqaruar se aty ende mund të ndodh që të bëhet ndonjë përditësim nga ndonjë vendvotim ku kanë munguar të dhënat.

“Të dielën në mbrëmje, në 2,571 vendvotime të rregullta është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Nga ky numërim, rezultatet preliminare janë prezantuar në platformën e rezultateve, të dielën në mbrëmje. Në ndërkohë, mund të ndodh që të bëhet ndonjë përditësim nga ndonjë vendvotim ku kanë munguar të dhënat. Rezultateve të cilave po i referohen mediat aktualisht, nuk janë nga procesi i cili ka filluar të hënën (13 tetor) në Qendrat Komunale të Numërimit, por janë rezultatet preliminare nga vendvotimet”, tha ai.

Elezi, tha se në hapësirën e re që do të shfaqet në platformën e KQZ-së do të përfshihen rezultatet për kryetarë të komunave, rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale, dhe votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

“Siç e kemi sqaruar, në disa raste deri më tani, përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale, në QKN, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, ka shkruar Elezi në sqarimin e tij.