Presidentja Osmani, përmes një shkrimi në X, ka njoftuar se në këtë bisedë telefonike është diskutuar për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, të cilat, sipas saj, dëshmuan profesionalizmin e institucioneve dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë.

Osmani ngriti edhe shqetësime serioze për ndërhyrjet e paligjshme të Serbisë në procesin zgjedhor, duke theksuar se veprime të tilla godasin në zemër të demokracisë.

“Shpreha shqetësim të thellë për ndërhyrjen e paligjshme të Serbisë në zgjedhjet tona përmes veprimeve që godasin në vetë zemrën e demokracisë. Sjellje të tilla destabilizuese duhet të përballen me një reagim të qartë dhe të bashkuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka shkruar ajo.

Në bisedë u trajtuan gjithashtu hapat e ardhshëm drejt formimit të Qeverisë dhe thellimit të agjendës strategjike dypalëshe mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Gjithashtu diskutuam për hapat e ardhshëm drejt formimit të Qeverisë dhe avancimit të agjendës sonë të përbashkët strategjike dypalëshe”, ka shkruar Osmani.