Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli, ka theksuar se përmes parakalimit me motoristë në Hagë kërkohet drejtësi. Ai tha se nga Haga rruga do të vazhdojë drejt Brukselit, me kërkesën e vetme që drejtësia të jetë transparente.

Bashkëluftëtari Nasim Haradinaj ka thënë se ky marsh simbolik është thirrje për drejtësi dhe kërkesë që procesi gjyqësor në Hagë të përfundojë sa më shpejt dhe të jetë i drejtë.

“Ne nuk duam të ndikojmë në drejtësi, por duam të themi se kjo drejtësi nuk po monitorohet. Prandaj, kjo le të jetë thirrje edhe për ndërkombëtarët, por edhe për qeveritarë dhe gjithë ata njerëz që mendojnë se drejtësia është vlera kryesore. Dhe nëse drejtësia është vlera kryesore, liderët tanë, të gjithë shokët që janë në Hagë, do të na kthehen të pafajshëm dhe ajo është fitore për ne dhe fitore më e madhe për Kosovën”, ka thënë ai.

Për të dalë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë gjithëkombëtare.

Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.