Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në një takim ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, të cilin e uroi për fillimin e mandatit të tij, duke theksuar angazhimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, të cilën e vlerësoi si partnere strategjike dhe aleate kyçe të vendit tonë.
Ajo falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës, si dhe për ndihmën e saj në procesin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
Ministrja Gërvalla gjithashtu nënvizoi rolin e rëndësishëm të mërgatës kosovare në Gjermani, e cila shërben si një urë lidhëse e fuqishme mes dy vendeve dhe kontribuon ndjeshëm në fushat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.
Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në sektorët e ekonomisë, sigurisë, energjisë dhe inovacionit.
Të dy palët u dakorduan për intensifikimin e investimeve dhe për nxitjen e projekteve që përfshijnë mërgatën, duke e vlerësuar këtë bashkëpunim si një faktor të rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e përbashkët të Kosovës dhe Gjermanisë.