RTSH
Seanca e sotme në Kuvend të Shqipërisë është shoqëruar me debate të forta mes pozitës dhe opozitës lidhur me kërkesën e PD-së për mocion “për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë”.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se Shqipëria duhet të kishte miratuar menjëherë rezolutën e Kosovës për njohjen e gjenocidit serb.
“Gjatë 1998-1999 forcat barbare serbe kryen në Kosovë maskara ndaj popullsisë së pambrojtur. Ata që kanë shkelur mbi gjakun, sakrificën e tyre të këtij gjenocidi të tmerrshëm ata nuk janë njerëz, e jo më shqiptarë. Ata janë në nivelin e primitivëve të njeriut, atë të kafshës, por ju të tillë nuk mund ta paraqisni veten. Ne duhet të adaptonim menjëherë rezolutën e Kosovës për gjenocidit, të mohosh gjenocidin në Kosovë do të thotë të jesh një qenie pa ndërgjegje njerëzore shoqëror, kombëtare. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti”, tha Berisha.
Berisha theksoi se ndaj gjenocidit serb duhet reaguar me unitet kombëtar, ndërsa akuzoi PS se po shkel mbi këtë gjenocid, pasi sipas tij, Rama “është një shërbëtor i Vuçiç”.
“A mundet një shqiptar të shkelmojë mbi këto të dhëna ndaj gjenocidit, e bëni këtë se kreu juaj është një shërbëtor i Vuçiç. Ndaj gjenocidit duhet të reagoni, si jeni kaq të pandjeshëm ndaj një çështje më thelbësore në ndërgjegjen e njeriut dhe ndërgjegjen kombëtare”, tha Berisha.
Pwr ketë kerkesw të Partisë Demokratike për mocion me debat mbi daljen me një rezolutë për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë vazhdoi tutje me përplasje mes pozitës dhe opozitës në Kuvend.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi se askush nuk mund t’i japë qeverisë leksione patriotizmi për Kosovën, duke theksuar se qëndrimet e Kryeministrit kanë qenë të qarta dhe të artikuluara publikisht edhe në Beograd për njohjen e saj.
“Nuk mund të na jepni leksione patriotizmi për Kosovën. Kryeministri e ka përsëritur në mes të Beogradit kërkesën për njohjen e Kosovës, jo vetëm pas kuintave diplomatike. Kjo qeveri jo vetëm që ka çuar përpara projekte zhvillimore me Kosovën, por e ka përfshirë atë në kuadër të bashkëpunimit strategjik dhe ushtarak rajonal. Nuk ka leksione patriotizmi këtu, por hajdeni nesër në protestë, të bashkojmë fuqitë dhe të jemi një komb i bashkuar, sepse për këto çështje kërkohet unitet kombëtar,” tha Vëngu.
Nga ana tjetër, deputeti i Partisë “Mundësia”, Erald Kapri, kundërshtoi deklaratën e ministrit, duke e akuzuar qeverinë për mungesë koherence në qëndrimet ndaj Kosovës. Ai theksoi se Kosova “meriton një tjetër qasje dhe vëmendje nga ky parlament” dhe se kjo çështje nuk duhet të përdoret për retorikë politike.
“Nuk bëra patriotizëm patetik, nëse dalim për Kosovën dhe përmende Ramën në Beograd më thuaj se kush mban përgjegjësinë për Open Balkan, kush mban përgjegjësi për marrëdhëniet e ngrohta me Beogradin pa asnjë rezultat, kush mban përgjegjësi për konfliktin që ka sot me kryeministrin e Kosovës dhe në momentin më të vështirë të ndërhyrjes në veri, kryeministri ishte kundër. Kosova meriton një tjetër qasje dhe vëmendje nga ky parlament, nuk mund të bëhet retorikë politike. Nëse duam t’i dalim në krah Kosovës ku parlament duhet të shprehet minimalisht me një rezolutë”, tha Kapri.
Kurse deputeti socialist Ulsi Manja në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, ka reaguar ndaj kërkesës së PD për mocion me debat mbi njohjen e gjenocidit serb dhe akuzave të demokratëve për qëndrimet e kryeministrit Rama mbi Kosovën duke pretenduar se ka mbajtur marrëdhënie të ngrohta me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Manja deklaroi se kryeministri Edi Rama është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës, ndërsa shton se ai ka mbajtur qëndrime të forta diplomatike në tryezat ku bëhet politikë europiane dhe ndërkombëtare.
“Do ju lutesha mos na fusni në ndjeshmëritë veri-jug, Kosova është pjesë e qenësishme e çdo shqiptari dhe çdo njeriu që ka gjak shqiptari.
Sa për Edi Ramën, ai s’ka nevojë për avokat, por në cilësinë si ish-ministër kam pasur fatin ta shoqëroj në disa vizita zyrtare në Evropë dhe e them publikisht se ai është avokat i shkëlqyer i çështjes së Kosovës. Me qëndrime të forta diplomatike, në tryeza ku realisht bëhet politika evropiane e ndërkombëtare për Kosovën ka kërkuar me forcë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga 5 vende të BE që ende refuzojnë ta njohin Kosovën”, tha Manja.
Ky i fundit deklaroi se deputetët socialistë do të jenë të pranishëm në protestën e nesërme (17 tetor) në mbështetje të UÇK-së, jo si politikanë, por si qytetarë.