Në manifestimin tradicional, “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”, që u mbajt nën patronatin e Presidencës së shtetit, e para e vendit, Vjosa Osmani, tha se tetori është muaji kur forca e grave vishet me ngjyrën e shpresës. Osmani tha se çdo beteje e jetës mund të fitohet me dashuri, me kujdes e qëndresë.
“Sot jemi këtu për të nderuar kauzën dhe frymën, frymën e grave që nuk u dorëzuan, që u përballen me frikën dhe e kthyen atë në forcë, grave që edhe në momentet më të vështira frymëzuan shpresë për vetën, familjet e tyre dhe për të gjitha gratë e Kosovës”, tha ajo , derisa ka shprehur mirënjohjen për drejtuesen e shoqatës “Jeta-Vita”, Nafije Latifin, që tha se për dekada u dha zë grave anë e mbanë Kosovës.
Presidentja e shtetit, tha se në çdo takim me gratë ka mësuar diçka të re, për forcën njerëzore. “Prandaj si presidente e kam konsideruar detyrim moral e institucional të mbështesim çdo nismë që sjellë lehtësim e shpresë për to”, vijoi fjalën e saj në këtë manifestim, Osmani.
Presidentja shtoi se, sot më shumë se kurrë duhet të ritheksohet rëndësia e diagnostikimit të hershëm.
“Çdo kontroll, çdo ekzaminim i rregullt është një mundësi për jetë. Sa më herët të ndodhë diagnostikimi, aq më e madhe është shpresa për jetë. E di që rruga nuk është e lehtë, kjo sëmundje kërkon guxim, përballje, përkrahje e shumë dashuri. Kanceri i gjirit nuk është fundi, ai mund të jetë vetëm fillimi i një kapitulli shumë sfidues, por që ju bënë më të fortë e më të vetëdijshëm për jetën”, deklaroi Osmani.
“Le ta kthejmë kujdesin për shëndetin e qytetarëve tanë në prioritet kombëtar, e ta kthejmë dashurinë e solidaritetin në fuqi që shpëtojnë jetë”, tha Osmani në këtë manifestim.
Aty foli edhe doktoresha, Dafina Ademi nga Onkologjia e cila tregoi shifrat e të prekurve me kancer të gjirit brenda këtij viti, derisa tregoi edhe si bëhet menaxhimi gjithëpërfshirës i kësaj sëmundjeje.