Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në intervistën e tij të parë në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), ka folur edhe për aktakuzën e Speciales ndaj ish-krerëve të luftës së UÇK-së.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka lidhje me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, për shkak se nuk mund të jesh kriminel, kur mbron pragun e derës”, tha Basha.
Ai tha lufta e UÇK-së është lufta më e lavdishme e shqiptarëve.
“UÇK-ja ka qenë kulmi i lavdisë dhe historisë sonë, tha Basha.
Basha: Partitë shqiptare të gjejnë vullnet e të bashkëpunojnë mes vete
(E plotësuar, ora 21:30) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha se partitë shqiptare duhet ta gjejnë vullnetin që të bashkëpunojnë mes veti.
“Herët a vonë këto parti do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën sepse nuk kanë ku e qojnë njëra tjetrën”, tha ai për RTK Prime.
Basha: Do të ishte antikushtetuese nëse nuk do t’i jepja mundësinë Rashiqit për nënkryetar
Basha tha se për atë si kryetar Kuvendi edhe në seancën e parafundit ka konstatuar se Kuvendi ishte konstituar për shkak se u ekzagjeruar mundësia duke ua dhënë nga tri herë secilit mundësinë.
“Në seancën e fundit i ofrova mundësinë shumicës serbe që t’i ofrojnë emrat, nëntë prej tyre nuk i morën votat e mjaftueshëm. Do të ishte antikushtetuese nga unë nëse nuk do t’i jepja mundësinë Nenad Rashiqit. Ky ishte deputeti i dhjetë serb. Unë e hedha votim sepse në të kundërtën do të ishte diskriminim”, tha ai.
Ai shtoi se e drejta për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese ekziston por e drejta ligjore për të fituar nuk ekziston. Sipas tij, zgjedhja e Rashiqit është në harmoni të plotë me Kushtetutën, ligjet dhe rregulloren e Kuvendit, ka thënë ai.
“Nuk mendoj që gjykata kushtetuese ka rast. Unë nuk besoj që do të ketë masë ndalese nga Kushtetuesja për shkak se iu është dhënë mundësia nëntë deputetëve, nuk ka marë votat, i dhjeti i ka marrë”, tha ai.